Kafeja në Suedi ku punonte Liridona, shprehen të pikëlluar për humbjen e koleges së tyre
Vdekja e Liridona Ademajt, ka pikëlluar kolegët e saj të punës në Suedi. Ata shprehen dhimbjen e tyre përmes një shkrimi në faqen e facebook të kafesë.
LAJME
12/3/20233 min read


Ndarja nga jeta e Liridona Ademaj, ka pikëlluar kolegët e saj të punës në qytetin Uddevalla të Suedisë. Ata shprehen dhimbjen e tyre përmes një shkrimi në faqen e facebook të kafesë.
“Ajo e donte jetën familjare dhe 2 djemtë e saj të mrekullueshëm më shumë se çdo gjë në botë”, shkruan në postimin e Lejas Cafe në Facebook. “Ajo ishte një shoqe dhe punonjëse shumë e dashur për të gjithë”, vazhdon shkrimi. Kolegët e saj thanë se kishin marrë shumë pyetje lidhur me rastin tragjik, por për hir të familjarëve saj, nuk kishin reaguar. Stafi njofton se në kujtim të Liridonës apo “Lillyt” siç e quanin ata, lokali do të jetë i hapur sot nga ora 15:00 për të bërë homazhe.
Liridona Ademaj Murseli ishte një 33-vjeçare që u vra më 29 nëntor. Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Në vendin e ngjarjes, brenda në makinë ishin burri i Liridona Murselit, Naim Murseli, njëkohësisht ish-këshilltar i ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacollit. Ai rrëfeu para policisë se ngjarja kishte nisur si grabitje dhe përfundoi me vrasjen e bashkëshortes së tij.
Policia e Kosovës arrestoi burrin e saj, Naim Murselin, Granit Plavën dhe Kushtrim Kollakën si të dyshuar për vrasjen e saj. Pak orë para se të arrestohej, Naim Murseli mori pjesë në ceremoninë e varrimit të Liridonës, ceremoni kjo që u krye në fshatin e tij. Ndërsa, vetëm pak orë pas arrestimit të të njëjtit, familjarët e tij raportuan se kanë anuluar të pamen. Prindërit e Naim Murselit kanë vendosur të kthehen në Suedi. Prokuroria Themelore në Prishtinë tha se është sekuestruar edhe arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra, duke shtuar se të dyshuarit janë duke u intervistuar në stacionin policor, derisa ndaj të njëjtëve do të ndërmarrë veprimet e mëtejshme ligjore. Lidhur me ngjarjen, ndaj të dyshuarit kryesor, ish-bashkëshortit të saj Naim Murselit, dhe dy të tjerëve, Granit Plavës dhe Kreshnik Kokallës, është caktuar nga një muaj paraburgim nga ana e Gjykatës Themelore të Prishtinës. Ish-bashkëshorti i Liridonës, Naimi, e ka pranuar fajësinë se ka paguar vrasjen e saj. Ai dyshohet se ka paguar 30 mijë euro për kryerjen e aktit makabër.
Postimi i plotë në facebook nga kafeja vendi i punës së Liridonës në Suedi:
Me pikëllim të madh dhe zemra të rënda, ne duhet të njoftojmë sot se një person kaq i mrekullueshëm duhej të largohej shumë shpejt nga kjo botë.
Një grua që gjithmonë i vlerësonte klientët dhe donte të sigurohej që ata të kishin gjithmonë përvojën më të mirë me ne. Ajo gjithmonë jepte 100% në vendin e punës dhe ishte një përhapëse e vërtetë gëzimi me një buzëqeshje të madhe në fytyrën e saj që u përhap shpejt si te kolegët ashtu edhe te klientët. Puna e vështirë nuk ishte e panjohur për të, qoftë në punë apo në privat. Ajo e donte jetën familjare dhe 2 djemtë e saj të mrekullueshëm më shumë se çdo gjë në botë.
Liridona nuk ishte thjesht një punonjëse me ne në Lejas Café. Ajo ishte shumë më tepër se kaq. Ajo gjithmonë donte të sigurohej që të tjerët të kalonin mirë. Ajo ishte një shoqe shumë e dashur për të gjithë dhe një punonjëse e njohur me klientët. Ajo krijonte lehtësisht lidhje të mira përmes personalitetit të saj dhe këto janë vetëm disa nga cilësitë e saj të mira që kishte.
Kemi marrë shumë pyetje në lidhje me ngjarjen dhe me gjithë respektin për të afërmit e saj, kemi pritur të postojmë çdo gjë në rrjetet sociale.
Të dielën do të jemi të hapur për publikun, ku të gjithë janë të mirëpritur të përkujtojmë, të bëjnë homazhe dhe të kujtojmë Lilly-n tonë! Do të jemi të hapur nga ora 15.00. Nuk do të ketë shitje, megjithatë, në vend do të ketë kafe falas. Mirë se vini!