Lendi Haziraj nënshkruan kontratë profesionale me Norrby IF

Mesfushori premtues ka nënshkruar një kontratë që zgjat deri në sezonin 2026 njofton Norrby IF në faqen zyrtare të klubit.

LAJMESPORT

2/12/2024

Lendi Haziraj ka arritur suksesin e parë në karrierën e tij. 18 vjeçari ka nënshkruar tashmë kontratë profesionale me klubin e tij Norrby IF. Ky lajm i gëzueshëm vjen si një shpërblim i merituar për angazhimin dhe talentin e tij të treguar në fushën e futbollit. Me performancat e tij, ai ka ka bindur drejtuesit e klubit me traditë në futbollin suedez, ti ofrojnë kontratë profesionale me ekipin e parë deri në vitin 2026.

Një mesfushor qendror me teknike të lartë dhe njohuri të mira për lojën për të cilin shpresojmë që të vazhdojë kurbën e rritjes dhe të zhvillimit në vitet e ardhshme. Nënshkrimi i kësaj kontrate profesionale është një hap i rëndësishëm për Lendin e cila do ti japë mundësinë të luajë në një nivel më të lartë dhe të përparojë edhe më shumë në karrierën e tij. Norrby IF është një klub i njohur për zhvillimin e talentëve të rinj që militon në Ettan Södra dhe Haziraj ka treguar se ka kapacitetin e mjaftueshëm për të arritur sukses në këtë klub. Ai i është bashkuar akademisë së klubit në moshën 14 vjeç.

- Kam kaluar shumë për të arritur deri këtu, kështu që kjo ndjesi është fantastike. Vitet në akademi kanë qenë shumë argëtuese dhe edukative. Jam përkushtuar shumë për të ndërmarrë këtë hap dhe jam jashtëzakonisht mirënjohës që kam marrë këtë besim nga klubi, shprehet djaloshi.

Të gjithë i urojmë suksese Lendit për arritjen e parë të tij dhe shpresojmë të jetë një shembull frymëzues për të gjithë të rinjtë e komunitetit tonë në Suedi që ëndërrojnë të bëhen futbollistë profesionistë. Ne do të jemi gjithmonë mbështetës të tyre!