Talenti 11 vjeçar i futbollit në Suedi, Donarti është deportuar në Kosovë së bashku me familjen
I rritur në fushat e blerta të ekipit IK Brage në Borlänge, Donart Mesini dhe familja e tij janë detyruar të kthehen në Kosovë pas 6 vitesh në Suedi.
MIGRACIONILAJMESPORT
2/10/2024


Agjencia Suedeze e Migracionit ka vendosur të dëbojë Donartin 11-vjeç dhe familjen e tij. Për 6 vite Donarti ka qenë pjesë e rëndësishme e ekipit të IK Brage për djemtë e lindur në vitin 2013 dhe vendimi i Migrationsverket duket se i ka tronditur të gjithë. Arsyeja e vetme është sepse babai i fëmijës nuk i plotëson kushtet e reja të vendosura pas 1 nëntorit 2023 të lejes së qëndrimit nëpërmjet punës në Suedi. Në vendimin e migracionit shkruhet se babai i Donartit, Adnani nuk ka pasur një orë pune në përputhje me kontratën kolektive gjatë kohës që ka qenë mekanik automjetesh. Sipas një kërkese të re mbështetjeje, paga e Adnanit ishte shumë e ulët.
- Ishte gjithmonë ai që vinte i pari në stërvitje dhe ndoshta ai me zemrën më të madhe nga të gjithë ata që kam takuar ndonjëherë si drejtues dhe prind”, thotë Jonas Hed, drejtuesi i ekipit dhe një mik i ngushtë i familjes Mesini.
Babai i djalit, Adnani thotë se futbolli dhe Brage ishte një pjesë e rëndësishme e edukimit të Donartit dhe 2 vëllezërve të tij që gjithashtu luajnë futboll. Ai thekson se ka pasur një punë me orar të plotë gjatë gjithë kohës së qëndrimit në vend, ndërsa së fundmi ishte e punësuar edhe nëna e fëmijës.
- Janë vetëm 6-7 kronor në orë që mungojnë në përputhje me kontratën kolektive. Punëdhënësi gjithashtu nuk ishte i vetëdijshëm se kjo ishte pak për të më mundësuar të vazhdoj të jem në Suedi. Është një fatkeqësi. E gjithë familja është plotësisht e traumatizuar. Ne duhet të largohemi nga një vend në të cilin kemi jetuar dhe fëmijët kanë shkuar në shkollë për gjashtë vjet. E gjithë jeta shoqërore e fëmijëve të mi është formuar dhe e lidhur me Borlänge, thotë Adnani për Expressen.
Përpara pak ditësh në ambientet e klubit të Brage është zhvilluar stërvitja e fundit e Donartit së bashku me fëmijet e tjerë, të cilët shprehen se për ta nuk do të jetë më kurrë siç ka qenë, pa shokun e tyre i cili është detyruar të lërë Suedinë dhe të kthehet në Kosovë.